

Festa për kualifikimin e Meksikës në raundin e 16 më të mirave të Kupës së Botës 2026 është shndërruar në tragjedi, pasi numri i viktimave ka shkuar në katër.
Autoritetet fillimisht konfirmuan vdekjen e tre personave nga asfiksia, mes tyre një 19-vjeçare, një grua 48-vjeçare dhe një burrë 44-vjeçar, të cilët u përfshinë nga turma e madhe e tifozëve që mbushën rrugët e kryeqytetit pas fitores 2-0 ndaj Ekuadorit.
Më vonë, autoritetet njoftuan se një 30-vjeçar humbi jetën pasi pësoi një krizë epileptike gjatë festimeve, duke e çuar në katër numrin e përgjithshëm të viktimave.
Sipas autoriteteve lokale, mbi një milion persona dolën në rrugët e Mexico City, kryesisht pranë monumentit të Engjëllit të Pavarësisë, për të festuar suksesin e kombëtares, e cila siguroi kualifikimin në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës.
Shërbimet e emergjencës ndërhynë në disa zona përgjatë bulevardit Paseo de la Reforma, ku u gjetën persona pa ndjenja. Ekipet mjekësore kryen procedurat e reanimimit dhe i transportuan të lënduarit në spital, por për katër prej tyre nuk ishte e mundur të shpëtohej jeta.
Kryetarja e Bashkisë së Mexico City, Clara Brugada, shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave dhe u bëri thirrje qytetarëve që festimet të zhvillohen me përgjegjësi, kujdes dhe respekt për sigurinë e të gjithëve.
Pas fitores ndaj Ekuadorit, Meksika është kualifikuar në raundin e radhës të Kupës së Botës 2026, ku do të përballet me Anglinë, e cila eliminoi Republikën Demokratike të Kongos me rezultatin 2-1.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






