Transmetuar më 01-07-2026, 22:15

TIRANË – NATO i ka përcjellë një “mesazh të fortë” Shqipërisë lidhur me angazhimet në shpenzimet e mbrojtjes, në një kohë kur roli i vendit si mikpritës i samitit të ardhshëm të Aleancës është vënë në pikëpyetje.

Sipas një raportimi të Euronews, një burim brenda NATO-s ka konfirmuar se vendndodhja e samitit të ardhshëm në Shqipëri nuk është përfshirë në draft-rezolutën e takimit të ardhshëm në Ankara, një veprim që shihet si presion ndaj Tiranës për të përmbushur objektivat e dakordësuara.

Burimi citohet të ketë deklaruar se Shqipëria rrezikon të humbasë rolin e saj si mikpritëse nëse nuk ndërmerr hapa konkretë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe përmirësimin e treguesve fiskalë në këtë drejtim.

Vendet e NATO-s kanë rënë dakord më herët për rritjen graduale të shpenzimeve të mbrojtjes deri në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, ndërsa Shqipëria aktualisht raportohet në nivele rreth 1.49%, nën objektivin fillestar prej 2%.

Sipas raportit, edhe disa vende të tjera anëtare janë identifikuar si të prapambetura në përmbushjen e objektivave të mbrojtjes, ndërsa zyrtarë të Aleancës kanë vënë në dyshim saktësinë e disa të dhënave zyrtare mbi shpenzimet.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin ndaj aleatëve europianë për të rritur kontributin në mbrojtjen kolektive, duke kërkuar prova konkrete për përmbushjen e angazhimeve të reja financiare.

Samiti i NATO-s do të zhvillohet në Ankara më 7–9 korrik, ku pritet të marrin pjesë liderë të vendeve anëtare, përfshirë edhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, si dhe delegacione nga disa shtete të Lindjes së Mesme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit