

TIRANË – Aktivistë dhe pjesëmarrës në protestat që po zhvillohen prej 32 ditësh në kryeqytet kanë njoftuar një tjetër tubim për të enjten, në orën 10:00 para Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas organizatorëve, protesta është thirrur në shenjë reagimi ndaj asaj që ata e cilësojnë si dhunë të ushtruar ndaj protestuesve gjatë tubimit të 30 qershorit.
Njëri prej protestuesve u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestë dhe paralajmëroi masa simbolike ndaj institucioneve dhe përfaqësuesve të rendit, duke akuzuar policinë për përdorim të dhunës.
“Dje forcat e policisë kanë ushtruar dhunë të neveritshme, prandaj nesër të gjithë në orën 10:00 te Kuvendi. Policët të kenë kujdes sepse qytetarët kanë në dorë t’ju pushojnë nga puna dhe t’ju çojnë në burg. Parlamenti është i yni, jo i atyre, ju nuk na përfaqësoni. Nesër te Kuvendi do t’i ndalojmë të futen”, u shpreh ai.
Ndërkohë, edhe një nga organizatorët e protestave, Andi Tepelena, i bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit përballë Kuvendit, duke kërkuar pjesëmarrje masive.
“Nesër me vezë dhe me miell me vete, do jemi aty për t’i treguar këtij parlamenti të krimit, për t’i thënë që nuk na përfaqësojnë”, deklaroi ai.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






