

TIRANË – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se partia që ai drejton mbështet fuqimisht protestën qytetare që po zhvillohet prej rreth një muaji në kryeqytet, duke theksuar se do të bëhet “çdo gjë që ajo të ketë sukses”.
Deklarata u bë gjatë mbledhjes së Këshillit të ri Kombëtar të Partisë Demokratike, i dalë nga zgjedhjet e muajit maj, ku aktualisht po zhvillohet edhe procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë së partisë.
Në këtë mbledhje pritet të zgjidhen 20 anëtarët e rinj të Kryesisë, ndërsa një tjetër pikë e rendit të ditës është edhe zgjedhja e drejtuesit të Këshillit Kombëtar, post që deri më tani mbahej nga Edi Paloka.
Duke folur për protestën qytetare, Berisha theksoi se ajo përbën një lëvizje të rëndësishme politike dhe shoqërore, ndërsa nuk iu referua thirrjeve të protestuesve për largimin e tij.
“PD e mbështet fuqimisht këtë lëvizje, do të bëjmë gjithçka që të ketë sukses”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se qëllimi kryesor mbetet rikthimi i votës së lirë, të cilin e cilësoi si mision historik të së djathtës, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos humbasin, sipas tij, “shansin historik” për të mbështetur ndryshimin.
“Është tradhti ndaj idealeve të lirisë po të mos e mbështesësh këtë lëvizje”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha gjithashtu iu drejtua të rinjve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale, duke i nxitur të angazhohen në mënyrë aktive në mbështetje të protestës, të cilën e cilësoi si një lëvizje të brezit digjital.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






