

SHBA – Anglia ka siguruar kualifikimin në raundin e 16-të të Kupës së Botës 2026, pasi përmbysi 2-1 Republikën Demokratike të Kongos në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën në Atlanta.
“Tre Luanët” u vunë në vështirësi për më shumë se 70 minuta, por arritën të ndryshojnë rezultatin në fundin e takimit, duke përmbysur një ndeshje të komplikuar dhe të luftuar.
Ndeshja nisi me surprizë, pasi në minutën e 6-të Brian Cipenga kaloi në avantazh Kongon, pas një asistimi të Mbemba-s. Pavarësisht presionit të Anglisë, portieri Lionel Mpasi zhvilloi një pjesë të parë të shkëlqyer, duke ndalur disa raste të rrezikshme. Në minutën e 42-të, Wissa iu afrua dyfishimit të avantazhit, por goditi shtyllën.
Në pjesën e dytë, Anglia rriti ritmin dhe vazhdoi sulmet, por u përball me një portier të pakalueshëm deri në minutën e 75-të, kur Harry Kane barazoi me kokë pas një krosimi të Gordon. Sulmuesi anglez shënoi më pas golin e fitores në minutën e 86-të, duke realizuar një goditje të fuqishme brenda zonës për rezultatin 2-1.
Me këtë fitore, Anglia siguron kalimin në fazën e eliminimit direkt, ku do të përballet me Meksikën, një nga vendet pritëse të turneut.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






