Transmetuar më 01-07-2026, 19:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, deklaroi se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm politik, duke vlerësuar atë që e cilësoi si një "zgjim" të gjeneratës së re kundër qeverisë.

Në fjalën e tij, Berisha e cilësoi Këshillin Kombëtar të dalë nga zgjedhjet e fundit si "më të fuqishmin dhe më cilësorin" në historinë e Partisë Demokratike, duke theksuar se ai ka si mision rikthimin e votës së lirë dhe rotacionin politik në vend.

Sipas tij, në Shqipëri ka shpërthyer një lëvizje e gjeneratës Z, të cilën PD e ka mbështetur dhe e konsideron si një forcë me potencial për të sjellë ndryshime politike.

Berisha solli si shembuj protestat kundër asgjësimit të armëve kimike në Shqipëri dhe reagimet pas vrasjes së Klodian Rashës, duke i cilësuar ato si fitore të arritura falë angazhimit të të rinjve.

"Lëvizja e tyre nuk mund të ndalet. Forcë në botë që mund t’i pengojë ata pa realizuar përmbysjen e kësaj qeverie nuk ka," u shpreh Berisha.

Kreu i demokratëve akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se po përdor propagandën dhe rrjetet sociale për të goditur këtë lëvizje, duke pretenduar se qeveria shpenzon shuma të mëdha për të kontrolluar algoritmet dhe për të krijuar faqe të rreme në internet.

"Sado që përpiqet Edi Rama me propagandën e tij dhe me kompanitë që, sipas meje, paguan për të kontrolluar algoritmin, ai po humbet çdo gjë," deklaroi Berisha.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit