

Një raport i ri i një komiteti të pavarur shkencor të Kombeve të Bashkuara ngre alarmin për sfidat dhe rreziqet që shoqërojnë zhvillimin e shpejtë të Inteligjencës Artificiale (IA), duke theksuar se përparimi teknologjik po ecën më shpejt sesa aftësia e qeverive për ta kuptuar dhe rregulluar atë.
Raporti, i përgatitur nga 40 ekspertë ndërkombëtarë dhe që do të prezantohet në Dialogun Global të OKB-së për Qeverisjen e Inteligjencës Artificiale më 6-7 korrik në Gjenevë, është vlerësimi i parë i pavarur shkencor në nivel global mbi ndikimin e kësaj teknologjie. Një analizë më e detajuar pritet të publikohet gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas ekspertëve, politikëbërësit kanë nevojë urgjente për më shumë të dhëna dhe prova shkencore për të hartuar rregulla efektive, ndërsa mungojnë mekanizmat e nevojshëm për mbikëqyrjen e sistemeve të Inteligjencës Artificiale që po bëhen gjithnjë e më autonome.
Një nga bashkëkryetarët e komitetit, Yoshua Bengio, paralajmëroi se Inteligjenca Artificiale mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme, si përmes funksionimit të saj, ashtu edhe nga përdorimi keqdashës nga individë apo organizata.
Raporti evidenton se, krahas përfitimeve të mëdha për ekonominë dhe shoqërinë, zhvillimi i pakontrolluar i IA-së mund të ketë pasoja në shëndetin mendor, ekonominë, sistemet sociale dhe mjedisin, duke krijuar sfida të reja për institucionet përgjegjëse.
Ekspertët shprehin shqetësim edhe për pabarazitë globale në zhvillimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale. Sipas raportit, mbi një miliard njerëz përdorin çdo javë aplikacione të bazuara në IA, ndërsa infrastruktura dhe fuqia llogaritëse dominohen kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina, duke lënë pas shumë vende në zhvillim.
Një tjetër problem i evidentuar është kufizimi gjuhësor i modeleve ekzistuese, të cilat janë trajnuar vetëm në një pjesë të vogël të mijëra gjuhëve që fliten në botë. Sipas ekspertëve, kjo mund të krijojë rreziqe në sektorë të ndjeshëm, si shëndetësia dhe shërbimet publike.
Raporti ngre gjithashtu shqetësime për rritjen e dezinformimit, përhapjen e materialeve deepfake dhe përmbajtjeve të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale që mund të përdoren për mashtrim apo abuzime të rënda, duke rrezikuar besimin e publikut dhe funksionimin e proceseve demokratike.
Sipas Kombeve të Bashkuara, shumica e vendeve nuk disponojnë ende kapacitetet teknike dhe institucionale të nevojshme për të vlerësuar dhe rregulluar në mënyrë efektive sistemet më të avancuara të Inteligjencës Artificiale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






