Transmetuar më 01-07-2026, 18:31

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka denoncuar një vendim të Këshillit të Ministrave, për të cilin pretendon se favorizon kompaninë RAMS Albania, duke i vënë në dispozicion rreth 88.8 hektarë tokë shtetërore në Vlorë për zhvillimin e një investimi strategjik.

Në një deklaratë për mediat, Shehaj publikoi dokumentin e vendimit dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se po vijon, sipas tij, t’u japë prona publike investitorëve të favorizuar.

“Tani është e qartë që Edi Ramës i ka ardhur fundi dhe po kërkon në çdo mënyrë të shpëtojë, t’i shpëtojë drejtësisë dhe të mbajë pushtetin”, u shpreh Shehaj.

Sipas vendimit të qeverisë që po qarkullon në rrjetet sociale, rreth 88.5 hektarë tokë shtetërore në Vlorë do të transferohen për përdorim nga kompania RAMS Albania, në kuadër të projektit strategjik "Vlorë TEDA/RAMS Free Zone", ku parashikohet ngritja e një zone të lirë ekonomike.

Sipas të dhënave publike, kompania është pjesë e grupit RAMS Global, në pronësi të biznesmenit Mehmet Faruk Burbul.

Në deklaratën e tij, Shehaj përmendi edhe aktorin turk Burak Özçivit, i njohur nga publiku shqiptar për rolin e "Osmanit", duke pretenduar se ai përfaqëson publikisht kompaninë. Aktori është shpallur ambasador i markës dhe partner promovues i RAMS Global në disa projekte ndërkombëtare, por nuk rezulton aksioner apo pronar i kompanisë.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka pasur një reagim nga qeveria apo nga kompania RAMS Albania lidhur me deklaratat e Shehajt.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit