Transmetuar më 01-07-2026, 18:45

Mbi 1 mijë viktima nga i nxehti në Spanjë gjatë qershorit, OBSH paralajmëron: Valët ekstreme do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta

Temperaturat ekstreme që kanë përfshirë Evropën kanë shkaktuar një bilanc të rëndë viktimash, me Spanjën që regjistron mbi 1 mijë të vdekur vetëm gjatë muajit qershor, sipas të dhënave zyrtare.

Instituti Shëndetësor "Carlos III" bëri të ditur se gjatë muajit qershor janë regjistruar 1,028 vdekje të lidhura me temperaturat e larta, më shumë se dyfishi i 407 rasteve të raportuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është gjithashtu numri më i lartë i viktimave për muajin qershor që nga viti 2015.

Sipas autoriteteve spanjolle, kulmi i valës së të nxehtit u arrit më 23 qershor, kur rreth 73% e popullsisë së vendit u ekspozua ndaj një niveli të lartë rreziku për shëndetin.

Agjencia Kombëtare Meteorologjike e Spanjës (AEMET) raportoi se qershori i këtij viti ishte muaji i dytë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në vend, me një temperaturë mesatare 3.2 gradë Celsius mbi normalen klimatike.

Vala e të nxehtit ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës, ku në Francë, Gjermani dhe disa vende të Ballkanit temperaturat kanë kaluar 40 gradë Celsius.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se mbi 1,300 persona kanë humbur jetën në Evropë si pasojë e temperaturave ekstreme.

Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, paralajmëroi se situata aktuale përbën një "provë gjenerale" për një të ardhme në të cilën valët e të nxehtit pritet të bëhen më të shpeshta, më intensive dhe më të gjata, ndërsa Evropa vijon të ngrohet me një ritëm mbi dy herë më të lartë se mesatarja globale.

Sipas tij, mungesa e masave të përshtatshme të përgatitjes ndaj temperaturave ekstreme mund të sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të viktimave, veçanërisht te të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe punonjësit që ushtrojnë aktivitet në ambiente të hapura.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit