Transmetuar më 01-07-2026, 17:01

Tiranë, 1 korrik 2026 – Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë vendimin e Gjykatës së Lartë lidhur me masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke urdhëruar rishqyrtimin e çështjes nga Gjykata e Lartë.

Sipas vendimit të arsyetuar, Gjykata Kushtetuese vlerëson se Gjykata e Lartë nuk ka analizuar në mënyrë të mjaftueshme nëse masa e sigurisë "Arrest në burg" ishte proporcionale dhe e domosdoshme në raport me të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur dhe për të ushtruar funksionin publik.

Në arsyetim thuhet se nuk është ushtruar një kontroll efektiv për mundësinë e zbatimit të masave më pak kufizuese, si garancia pasurore, të cilat mund të adresonin rreziqet procedurale pa penguar ushtrimin e mandatit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Një tjetër element që, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk është trajtuar në mënyrë të plotë nga Gjykata e Lartë lidhet me pretendimin e Veliajt për qëndrimin në kabinën e xhamit gjatë seancave gjyqësore. Sipas kërkuesit, kjo mënyrë paraqitjeje krijonte perceptimin e një personi të rrezikshëm dhe cenonte parimin kushtetues të prezumimit të pafajësisë.

Vendimi zbulon edhe qëndrime të ndryshme mes gjyqtarëve kushtetues. Katër prej tyre kanë vlerësuar se masa e arrestit ishte në vetvete joproporcionale, duke argumentuar se izolimi për një periudhë të gjatë ka penguar ushtrimin e mandatit të fituar nga Veliaj dhe ka prekur edhe të drejtën e qytetarëve për t’u përfaqësuar nga i zgjedhuri i tyre.

Nga ana tjetër, gjyqtari relator Ilir Vokshi votoi kundër shfuqizimit të vendimit, me argumentin se kërkuesi nuk kishte shteruar të gjitha mjetet juridike në lidhje me pretendimet për ushtrimin e mandatit. Ai vlerësoi gjithashtu se qëndrimi në kabinën e xhamit nuk përbën, në vetvete, trajtim degradues nëse respektohen standardet përkatëse.

Ndërkohë, gjyqtarja Sonila Bejtja shprehu rezervat e saj ndaj arsyetimit të gjykatave të zakonshme për ekzistencën e "dyshimit të arsyeshëm", duke argumentuar se nuk ishte individualizuar në mënyrë të mjaftueshme lidhja e Veliajt me veprimet e pretenduara korruptive.

Në vendim përmenden edhe argumentet e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila ka mbështetur qëndrimin se provat e administruara tregojnë ekzistencën e një sistemi të organizuar korrupsioni. Sipas SPAK, lirimi i Veliajt do të krijonte rrezik për ndikim mbi provat dhe dëshmitarët, si edhe mundësi largimi për shkak të dënimit të rëndë që parashikojnë akuzat.

Me këtë vendim, çështja i rikthehet Gjykatës së Lartë, e cila do të duhet të shqyrtojë sërish proporcionalitetin e masës së sigurisë, ndikimin e saj mbi ushtrimin e mandatit publik, si dhe pretendimet për kushtet e trajtimit të kërkuesit gjatë procesit gjyqësor.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit