Transmetuar më 01-07-2026, 16:30

Prishtinë, 1 korrik 2026 – Nëntë persona janë arrestuar në Kosovë gjatë një operacioni të koordinuar nga autoritetet ligjzbatuese, të dyshuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e kontrabandës së derivateve të naftës dhe mashtrimit tatimor.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Doganën dhe Administratën Tatimore.

Autoritetet bëjnë të ditur se të arrestuarit dyshohet se kanë vepruar si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, duke përdorur dokumente të rreme tatimore dhe duke kryer shitje e transaksione fiktive të derivateve të naftës.

Të dyshuarit, të identifikuar me inicialet F.M., F.M., M.M., S.K., N.B., D.M., A.M., N.M. dhe G.Q., po hetohen për veprat penale të shpëlarjes së parave, kontrabandimit të mallrave në bashkëkryerje, pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, përdorimit të dokumenteve të rreme lidhur me tatimet, si dhe shmangies nga detyrimet tatimore.

Gjatë operacionit, autoritetet kryen kontrolle në 21 lokacione të ndryshme, ku u sekuestruan pesë autobote për transportin e derivateve të naftës, dokumentacion i ndryshëm, para në vlerë monetare, armë, fishekë, automjete dhe pajisje elektronike.

Prokuroria Speciale njoftoi se hetimet janë në vijim, ndërsa nuk janë bërë publike detaje të tjera lidhur me shtrirjen e aktivitetit të grupit të dyshuar kriminal.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit