

Tiranë, 1 korrik 2026 – Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë vendimin e mëparshëm që dënonte me burgim të përjetshëm Mexhit Picarin për vrasjen e dhëndrit të tij, Kudret Saliaj, duke urdhëruar rigjykimin e çështjes në Gjykatën e Apelit me një trupë tjetër gjyqësore.
Sipas vendimit, në Apel do të rigjykohet edhe Dhurata Saliaj, vajza e Mexhit Picarit, e cila ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg për bashkëpunim në krim.
Ngjarja ndodhi më 4 qershor 2021 në verandën e një lokali pranë Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës. Sipas dosjes hetimore dhe vendimeve të mëparshme gjyqësore, Mexhit Picari akuzohet se qëlloi me armë zjarri ndaj Kudret Saliajt, me të cilin vajza e tij ishte në proces divorci.
Si pasojë e të shtënave, Kudret Saliaj humbi jetën në vend, ndërsa mbeti i plagosur edhe avokati i tij, Adriatik Cama, i cili ndodhej në të njëjtën tavolinë.
Me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, procesi gjyqësor do të rihapet në Apel, ku një trupë e re gjykuese do të shqyrtojë sërish çështjen dhe do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të të pandehurve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






