

Düsseldorf, 1 korrik 2026 – Kryeministri Edi Rama deklaroi se protestat që zhvillohen prej më shumë se një muaji para Kryeministrisë përbëjnë një mesazh që, sipas tij, meriton të dëgjohet dhe të analizohet me kujdes.
Gjatë fjalës së mbajtur në Forumin Europian të Inovacionit dhe Sipërmarrjes në Düsseldorf të Gjermanisë, Rama u shpreh se fokusi i tij nuk është numri i pjesëmarrësve në protestë, por shqetësimet që ata përcjellin.
"Si kryeministër, e konsideroj këtë protestë një mesazh të rëndësishëm për mua dhe qeverinë time. Po përpiqem ta kuptoj këtë mesazh me shumë kujdes, jo duke numëruar njerëzit në rrugë, por duke u përpjekur të dëgjoj shqetësimet e tyre", tha Rama.
Kryeministri përsëriti qëndrimin e tij se algoritmet e rrjeteve sociale kanë ndikuar në përhapjen dhe amplifikimin e reagimeve publike, duke argumentuar se ato deformojnë perceptimin e realitetit.
Sipas tij, "miliona njerëz që nuk kishin vënë as këmbën në Shqipëri u ndikuan nga algoritmi", ndërsa shtoi se platformat sociale favorizojnë përmbajtjet që nxisin indinjatë dhe polarizim.
Në fjalën e tij, Rama bëri edhe një krahasim me protestat e viteve të kaluara, duke kujtuar se në të njëjtin bulevard ku zhvillohen tubimet aktuale, në të shkuarën kanë humbur jetën protestues.
"Në të njëjtin bulevard ku protestojnë flamingot, kishim njerëz që u vranë, protestues që humbën jetët, jo shumë kohë më parë", deklaroi ai, duke shtuar se, sipas tij, protesta u shndërrua më pas në "arenën e aktorëve dashakeq".
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur protestat para godinës së Kryeministrisë vijojnë prej javësh, me organizatorët që kërkojnë adresimin e një sërë shqetësimesh dhe ndryshime në politikat qeveritare.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






