

Spiropali: Jam dhe do të jem në PS, kush i ka bërë dëm partisë të shkojë aty ku e ka vendin
Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka deklaruar se nuk ka asnjë plan për t’u larguar nga PS, duke theksuar se e sheh të ardhmen e saj politike brenda kësaj force politike ndërsa flet sërish me bindje se duhet goditur establishmenti që ka përthithur Partinë Socialiste e cila mbahet nën kontrollin e Edi Ramës që prej më shumë se 21 vitesh.
Në një prononcim për Report Tv, Spiropali u shpreh se aktualisht po punohet për draftin që lidhet me vizionin për “Shqipërinë e re”, ndërsa nënvizoi se më e rëndësishmja është puna që do të bëhet për vendin.
E pyetur nëse mund të ndiqte rrugën e Marjana Koçekut, e cila është larguar pas pakënaqësive të shprehura ndaj drejtimit të kryeministrit Edi Rama, Spiropali dha një përgjigje të prerë. Ajo tha se ka qenë, është dhe do të mbetet pjesë e Partisë Socialiste.
Sipas saj, në PS duhet të qëndrojnë të gjithë ata që kanë punuar dhe punojnë për një Shqipëri më të mirë, ndërsa ata që i kanë shkaktuar dëm partisë duhet të largohen aty ku e kanë vendin, duke nënkuptuar se Belinda Balluku me shokë e shoqe si ajo duhet të shkojnë në burg, por pa specifikuar publikisht emra.
“Jemi duke punuar. E rëndësishme është ajo që do të bëjmë për Shqipërinë. Unë jam në PS, kam qenë në PS dhe do të jem gjithmonë në PS. Në PS duhet të jenë të gjithë ata që kërkojnë një Shqipëri më të mirë, e kanë bërë historikisht, e bëjnë edhe sot. Ata që i kanë sjellë dëme PS-së, le të shkojnë aty ku e kanë vendin”, u shpreh Spiropali.
Deklarata e saj vjen në një moment kur brenda kampit socialist janë komentuar lëvizje dhe qëndrime të ndryshme politike, pas pakënaqësive të shprehura nga disa figura ndaj drejtimit aktual të partisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






