Transmetuar më 01-07-2026, 13:34

TIRANË – Analisti dhe komentuesi i njohur publik, Ilir Demalia, ka rënë pre e një sulmi të rëndë fizik mesditën e kësaj të mërkure në Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur sapo ai ka dalë nga ambientet e banesës së tij, ku është goditur nga dy persona, duke pësuar lëndime të dukshme në pjesën e fytyrës dhe plagë pranë syrit, për të cilat ka marrë ndihmë mjekësore.

Në një prononcim të dhënë menjëherë pas ngjarjes për emisionin “Shqipëria Live”, Demalia ka shpjeguar dinamikën e konfliktit, duke saktësuar se autorët janë banorë të lagjes ku ai banohet.

Sipas tij, shkak për agresionin ka qenë dyshimi i pabazë i këtyre personave se analisti kishte njoftuar policinë për të ndëshkuar me gjobë automjetet e tyre të parkuara gabim.

“Po dilja nga shtëpia dhe dy persona më sulmuan. Më zunë rrugën dhe më goditën. Janë persona të lagjes. Ishte një efektiv policie që po u vendoste gjobë. Ata sa më panë, pretenduan se unë e kisha lajmëruar policinë dhe më goditën. Unë u thashë që nuk e kam lajmëruar në këtë rast, ndonëse më parë e kam ngritur si shqetësim institucional faktin që parkojnë ku të duan dhe bllokojnë hyrjet e banesave,” deklaroi Demalia.

Analisti e dënoi ashpër aktin duke i cilësuar autorët si "cuba" që nuk respektojnë as praninë e forcave të rendit, pasi sulmi ka ndodhur në sy të efektivit të policisë që po kryente detyrën.

Demalia konfirmoi se do të ndjekë të gjitha hapat ligjorë duke depozituar një denoncim zyrtar në komisariat. Ai nënvizoi se identiteti i autorëve është i njohur për strukturat e Policisë së Shtetit, ndërsa mbetet në pritje të veprimeve operacionale për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit