Transmetuar më 01-07-2026, 13:41

Analisti Ilir Demaliaj është dhunuar mesditën e sotme në Tiranë, në një ngjarje që dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja është regjistruar rreth orës 12:00, në rrugën “Çamëria”. Demaliaj, i identifikuar nga policia me inicialet I. D., është goditur me grusht dhe më pas është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Në pamjet e publikuara pas ngjarjes, analisti shfaqet me dëmtime në fytyrë dhe një plagë pranë syrit.

Pas dhunimit, Demaliaj ka treguar se sulmi ka ndodhur sapo kishte dalë nga banesa. Sipas tij, dy persona të zonës, të cilët kanë një dyqan aty pranë, e kanë sulmuar duke e akuzuar se kishte njoftuar policinë për parkim të gabuar.

Ai ka sqaruar se në atë moment një efektiv policie po vendoste gjobë për një automjet të parkuar gabim, ndërsa personat që e sulmuan dyshonin se denoncimi ishte bërë prej tij. Demaliaj e ka mohuar këtë, duke thënë se nuk kishte qenë ai që kishte lajmëruar policinë.

Analisti është shprehur se nuk ka borxhe apo armiqësi me askënd, por ka pranuar se ka pasur kërcënime dhe sulme verbale të vazhdueshme ndaj tij. Sipas tij, ngjarja nuk lidhet me qëndrimet politike, por me shqetësimet që ai ka ngritur për problemin e parkimeve në zonën ku banon.

Demaliaj tha se prej kohësh ka kërkuar lirimin e hapësirave të zëna nga parkimet, pasi sipas tij banorët e kanë të vështirë të hyjnë në banesat e tyre. Ai shtoi se dhunimi ka ndodhur në prani të policisë dhe se pas ngjarjes ka bërë denoncim.

Ndërkohë, Policia e Tiranës njoftoi se menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet hetimore.

Nga veprimet e para është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit R. S., i cili është shpallur në kërkim. Policia thotë se po vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Në kuadër të hetimeve është bllokuar dhe sekuestruar edhe automjeti që dyshohet se është përdorur nga autori.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit