

DÜSSELDORF – Kryeministri Edi Rama është përballur me një valë protestash nga komuniteti i emigrantëve shqiptarë gjatë vizitës së tij zyrtare në landin gjerman Nordrhein-Westfalen, ku zhvilloi takime me kryeministrin e këtij rajoni, Hendrik Wüst, në Düsseldorf dhe Bochum.
Një grup i konsiderueshëm bashkatdhetarësh i kanë bërë pritë shefit të qeverisë shqiptare, duke kërkuar dorëheqjen e tij të menjëhershme. Me flamuj kuqezi, pankarta dhe simbole të ndryshme si figura flamingosh, protestuesit kanë bërë thirrje në kor kundër politikave të qeverisë, duke kërkuar shfuqizimin e ligjeve që prekin zonat e mbrojtura.
Ky nuk është rasti i parë që kryeministri përballet me revoltën e diasporës, pasi pak kohë më parë ai u prit me të njëjtat tone protestuese edhe nga emigrantët në Basel të Zvicrës. Organizatorët e tubimit bënë me dije se ky reagim shënon protestën e 32-të radhazi të kësaj lëvizjeje, e cila ka marrë përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare.
Sipas përfaqësuesve të tubimit, revolta që nisi fillimisht si një reagim i drejtpërdrejtë ndaj situatës dhe vendimmarrjeve për zonën e Zvërnecit, tashmë është përshkallëzuar në një qëndrim të prerë politik ku kërkohet largimi i kryeministrit. Organizatorët deklaruan se tubimet dhe rezistenca e tyre do të vijojnë si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit, deri në përmbushjen e plotë të kërkesave të tyre.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






