

TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të ashpra me natyrë politike dhe psikologjike ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar profilin e tij si një ndër "psikologjitë më perverse" dhe duke pretenduar se kreu i qeverisë udhëhiqet nga "kompleksi i Edipit".
Deklaratat e liderit të opozitës u bënë gjatë ceremonisë së promovimit të librit më të ri të studiuesit dhe autorit Ndriçim Kulla, i titulluar “Tirania e Buzëqeshjes – Një portret politik dhe psikologjik i Edi Ramës”, vepër e cila përmbyll një trilogji të autorit mbi qeverisjen aktuale.
Sipas Berishës, libri i Kullës ofron një psikanalizë të detajuar të etapave të sundimit të Ramës, duke shpjeguar, sipas tij, se si urrejtja e brendshme e trashëguar po manifestohet ndaj shoqërisë shqiptare.
"Edi Rama është një nga psikologjitë më perverse të species Homo Sapiens. Është bërë fëmijë me kompleksin e Edipit, një kompleks shpërfytyrues për karakterin. Ky kompleks ka urrejtje të pakufishme për ata që nuk mund të urrehen kurrë. Dhe atë urrejtje që ky trashëgoi, e ruajti për ta demonstruar ndaj shqiptarëve," u shpreh Berisha.
Në fjalën e tij, kreu i demokratëve u ndal edhe te strategjia politike e kryeministrit, duke iu referuar teorive të filozofes Hannah Arendt mbi "të keqen banale". Berisha akuzoi Ramën për korruptim të gjuhës shqipe dhe zhveshje të fjalës nga kuptimi i saj i vërtetë për të vënë në narkozë shoqërinë, ndryshe nga diktatorët klasikë që zgjidhnin izolimin.
Në mbyllje të analizës së tij, lideri i opozitës vlerësoi kontributin historik të librave të Ndriçim Kullës, duke theksuar se përveç mashtrimit të opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar, kryeministri ka arritur të shndërrojë korrupsionin transnacional në një instrument të fuqishëm për të mbajtur dhe konsoliduar pushtetin e tij.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






