

LUSHNJË – Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e gjashtë personave ka ndodhur në aksin rrugor Lushnjë–Berat, saktësisht në fshatin Fiershegan.
Një automjet i tipit "Volkswagen Golf", në të cilin udhëtonin gjashtë anëtarë të së njëjtës familje, përfshirë tre fëmijë, është përmbysur në rrugë pas një manovre shmangieje.
Sipas dëshmisë së dhënë nga drejtuesi i mjetit, i cili po qarkullonte në drejtim të Beratit, një automjet tjetër i ka bllokuar papritur korsinë përballë.
Në tentativë e sipër për të shmangur përplasjen kokë më kokë, shoferi ka devijuar menjëherë mjetin në krahun e djathtë të rrugës.
Si pasojë e këtij manovrimi, "Golfi" është përplasur fillimisht me një makinë të parkuar në anë të rrugës dhe më pas ka përfunduar i përmbysur në mes të rrugës.
Nga përplasja e fortë kanë mbetur të lënduar të gjashtë personat që ndodheshin në mjet, ku mes tyre tre janë fëmijë.
Të plagosurit u transportuan nga dëshmitarët dhe ambulanca drejt spitalit për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Burime spitalore bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e të gjithë të lënduarve paraqitet e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur hetimet për rindërtimin e plotë të dinamikës së aksidentit dhe identifikimin e mjetit tjetër që shkaktoi devijimin e rrugës.



Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






