Transmetuar më 01-07-2026, 12:57

TIRANË – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë për akordimin e një bonusi prej 5 mijë lekësh për pensionistët, duke e cilësuar atë si një "lëmoshë sezonale" që dështon të adresojë rritjen galopante të kostos së jetesës në vend.

Përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, Tabaku argumentoi se ky bonus i përkohshëm nuk mund të zëvendësojë mungesën e një politike serioze dhe afatgjatë për rritjen e pensioneve. Ajo nënvizoi se të moshuarit në Shqipëri trajtohen me pensionet më të ulëta në rajon, ndërkohë që çmimet e konsumit po arrijnë nivelet e Bashkimit Europian.

"Çmimet në Shqipëri janë sa 90% e mesatares së Bashkimit Europian, ndërkohë që pagat janë vetëm sa 20% e saj. Vetëm produktet e bulmetit, si djathi dhe qumështi, janë 36% më të shtrenjta se mesatarja e BE-së. Në këto kushte, çfarë vlere ka një bonus prej 5 mijë lekësh?" deklaroi deputetja demokrate.

Për të ilustruar atë që ajo e quan "prioritet të gabuar të buxhetit të shtetit", Tabaku bëri një krahasim mes fondit total të alokuar për skemën e pensioneve dhe kostove të projekteve të infrastrukturës me partneritet publik-privat (PPP). Sipas saj, bonusi për rreth 777 mijë pensionistë rëndon buxhetin me afërsisht 35 milionë euro, një shifër kjo dhjetë herë më e ulët se kostoja e koncesionit për aksin rrugor Milot–Balldren, i cili ka arritur në rreth 360 milionë euro.

Në mbyllje të deklaratës së saj, përfaqësuesja e opozitës ngriti shqetësimin edhe për financimin e ulet në sektorët jetikë, siç është shëndetësia, ku Shqipëria shpenzon vetëm 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Sipas Tabakut, ndërsa buxheti i shtetit "shërben si strehë për tendera, koncesione dhe falje taksash", shtresa e pensionistëve mbetet e lënë pas dore, pa garantuar një jetesë dinjitoze.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit