

KAPSHTICË – Një kaos i vërtetë dhe radhë kilometrike mjetesh janë regjistruar mesditën e kësaj të mërkure në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës. Shkak është bërë një defekt teknik në serverat e palës greke, i cili ka sjellë rënien e plotë të sistemit kompjuterik të kontrollit të pasaportave dhe bllokimin e përkohshëm të lëvizjes.
Sipas dëshmive të udhëtarëve në vendngjarje, procesi i përpunimit të të dhënave është ndërprerë tërësisht, duke lënë në pritje qindra qytetarë që tentojnë të hyjnë apo të dalin nga territori grek. Situata paraqitet mjaft e rënduar, pasi qytetarët ndodhen të bllokuar prej më shumë se tre orësh nën rrezet e diellit, në temperatura që i kalojnë 30 gradë Celsius.
Udhëtarët e penalizuar nga kjo vonesë bëjnë me dije se deri më tani nuk kanë marrë asnjë sqarim zyrtar nga autoritetet doganore helene lidhur me natyrën e specifikshme të problematikës apo një afat se kur pritet të rikthehet normaliteti. Ndërkohë, pala shqiptare mbetet në pritje të njoftimit nga kolegët grekë për zgjidhjen e defektit, për të rifilluar procedurat e rregullta të qarkullimit ndërkufitar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






