

SELANIK – Një vatër masive zjarri pyjor ka shpërthyer në veri të Greqisë, duke shkaktuar deri tani dy viktima të konfirmuara, një të plagosur rëndë dhe evakuimin urgjent të qindra banorëve. Sipas rrjetit mediatik BBC, flakët po përhapen me shpejtësi të favorizuara nga erërat e forta dhe temperaturat e larta, duke rrezikuar seriozisht zonat e banuara në periferi të Selanikut.
Autoritetet helene bëjnë me dije se trupi i viktimës së parë u gjet në një sipërfaqe të shkrumbuar pranë fshatit Liti, rreth 15 kilometra në veriperëndim të Selanikut. Ndërkohë, gjatë operacioneve të kërkimit, forcat e emergjencës zbuluan një trup të dytë të pajetë dhe ende të paidentifikuar brenda një banese të përfshirë nga flakët në zonën pyjore.
Nga e njëjta zonë u shpëtua me djegie në trup një grua, e cila ndodhet në spital në gjendje të stabilizuar, ndërsa vijojnë kërkimet intensive për gjetjen e një fëmije 12-vjeçar që rezulton i zhdukur. Dyshohet se i mituri është djali i çiftit të prekur nga tragjedia.
Në terren janë angazhuar mbi 100 zjarrfikës, dhjetëra mjete motorike dhe të paktën shtatë avionë të specializuar për ndërhyrje nga ajri. Operacioni paraqitet mjaft i vështirë, pasi fronti i zjarrit ka arritur një gjatësi prej rreth pesë kilometrash dhe po avancon me shpejtësi drejt fshatit Melissochori, ku tashmë janë raportuar edhe dëmet e para në objekte banimi.
Rajoni ndodhej nën alarm të kuq për shkak të thatësirës së zgjatur dhe masave ajrore të nxehta. Ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të papërcaktuara, kjo ngjarje e rëndë shënon një tjetër goditje për Greqinë në prag të sezonit kulmor turistik, periudhë në të cilën vendi përballet rregullisht me vatra shkatërruese zjarri.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






