Transmetuar më 01-07-2026, 12:32

TIRANË – Seanca dëgjimore në Komisionin për Reformën Zgjedhore është shoqëruar me replika dhe tone të ashpra mes deputetëve të opozitës, drejtuesve të komisionit dhe kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho. Pika nevralgjike e debateve ka qenë çështja e sistemit të patronazhimit dhe hetimi i krimeve të pretenduara zgjedhore.

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka adresuar akuza të forta ndaj organit të akuzës, duke kërkuar llogari nga drejtuesi i SPAK-ut për fatin e disa kallëzimeve të detajuara të depozituara nga opozita përgjatë viteve 2023 dhe 2025. Vokshi vuri theksin te cenimi i të dhënave personale përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe përdorimi i tyre për shantazh ndaj votuesve, duke përmendur emrat e zyrtarëve të lartë Ogerta Manastirliu e Belinda Balluku, si dhe duke u përplasur me bashkëkryetarin e komisionit, Damian Gjiknuri.

"Në SPAK kemi dorëzuar kallëzime të detajuara dhe kemi evidentuar mbi 2500 shkelje e krime zgjedhore. Kur doli lista e patronazhistëve, ku jeni dhe ju vetë i patronazhuar, a është hetuar AKSHI? Kemi dorëzuar kallëzim për Belinda Ballukun se si përmes patronazhistëve shantazhon për votën, por deri më sot nuk kemi asnjë reagim nga ju," deklaroi deputetja demokrate.

Nga ana e tij, kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, ka sqaruar pozicionin ligjor të institucionit që ai drejton, duke sqaruar se çështja e patronazhimit nuk përbën bazë ligjore për ndjekje penale nga Prokuroria e Posaçme sipas Kodit Penal në fuqi.

"Në dispozitat e Kodit Penal, nuk ka një vepër penale që të ndëshkojë penalisht patronazhimin, dhe aq më tepër kjo vepër penale të jetë kompetencë e SPAK. SPAK ka dy vepra penale në kompetencë: korrupsionin aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Nëse një person ka nxjerrë të dhëna personale, kjo është një vepër tjetër penale që nuk është kompetencë e SPAK, por e prokurorive të juridiksionit të zakonshëm," u shpreh Braho.

Më tej, drejtuesi i SPAK-ut shtoi se përfshirja e mundshme e subjekteve të posaçme në këtë veprimtari duhet parë rast pas rasti, ndërsa nënvizoi se ligji ia ndalon të diskutojë për dosje konkrete në një seancë politike. Ai hodhi poshtë pretendimet për mungesë përgjigjeje, duke deklaruar se në prill të këtij viti opozita është informuar zyrtarisht për të gjitha vendimmarrjet e prokurorisë lidhur me kallëzimet e bëra.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit