Transmetuar më 01-07-2026, 12:24

BELGJIKË – Drejtësia belge ka dënuar me nga 18 muaj burgim dy shtetas shqiptarë, të shpallur fajtorë për akuzën e vjedhjes në rrethana rënduese. Dy të rinjtë u kapën në flagrancë pasi kishin hyrë për të grabitur në banesën e një personi që sapo ishte ndarë nga jeta.

Akti kriminal u konstatua nga një banor i zonës, i cili pasi vuri re lëvizje të dyshimta në shtëpinë e fqinjit të ndjerë, njoftoi menjëherë autoritetet policore. Gjatë ndërhyrjes, policia bllokoi dy shqiptarët, të cilët mbanin veshur doreza dhe ishin të pajisur me elektrikë dore.

Sipas organit të akuzës, në momentin e arrestimit atyre iu gjetën në posedim bizhuteri dhe sende me vlerë që i përkisnin të zotit të shtëpisë.

"Në dritaret e banesës ishin të dukshme gjurmët e thyerjes me kaçavidë, si dhe ishte çaktivizuar e dëmtuar një sensor lëvizjeje i sistemit të sigurisë," deklaroi prokurori i çështjes gjatë seancës.

Nga ana tjetër, avokatja mbrojtëse, Julie Crowet, kërkoi para gjykatës një dënim me kusht, duke argumentuar se kjo ishte përballja e tyre e parë me ligjin dhe se veprimi erdhi nga dëshpërimi ekonomik. Sipas mbrojtjes, të pandehurit kishin udhëtuar nga Shqipëria drejt Belgjikës për të punuar në ndërtim, por pasi nuk ishin paguar nga punëdhënësit, kishin mbetur pa asnjë të ardhur, çka i shtyu drejt ndërmarrjes së aktit të vjedhjes.

Pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, gjykata belge vlerësoi shkallën e rrezikshmërisë së veprës dhe i dënoi ata me burgim efektiv.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit