Transmetuar më 01-07-2026, 11:16

ATHINË – Këngëtarja me famë ndërkombëtare Eleni Foureira ka folur hapur dhe pa doreza për periudhën e vështirë të fillimeve të karrierës së saj në Greqi, duke shpjeguar arsyet se pse zgjodhi të fshehë origjinën shqiptare në hapat e parë si artiste.

E ftuar në emisionin televiziv grek “The 2Night Show”, Foureira pranoi se vendimi rrodhi nga frika e madhe e paragjykimeve dhe penalizimit në industrinë muzikore helene. Ajo tregoi se ishte rritur në një mjedis ku ekzistonte bindja se prejardhja mund t’i mbyllte dyert e suksesit.

"Kur rritesh, kjo frikë të futet brenda. Mendoja se nëse thosha se jam nga Shqipëria, nuk do të më jepeshin mundësi të barabarta. Ky ishte realiteti që përjetoja," u shpreh këngëtarja.

Eleni Foureira e ktheu kohën pas kur u ndal në periudhat e errëta të fillimit të karrierës së saj dhe siç tha, u detyrua të fshihte se kishte origjinë nga Shqipëria.

“Në fillim të karrierës sime, mediat u sollën me mua edhe shumë keq, edhe shumë mirë. Nuk kishte fare takt. Nuk shihnin që unë isha një fëmijë, që ndoshta u detyrua të fshihte origjinën e vet.

A më bëri shoqëria që ta fshihja? U rrita me frikën për origjinën time. Thosha se nëse them që jam nga Shqipëria, nuk do të më jepen të njëjtat mundësi.

Në këtë kohë që jemi sot nuk do të ndodhte diçka e tillë. Nuk dua as ta kujtoj, kam qarë shumë. Jorgos Arsenakos më thoshte se as atij vetë, as njerëzve nuk i intereson origjina ime. Ai më dha forcë të vazhdoja”, tha ajo.

Artistja solli në vëmendje edhe përjetimet e vështira të familjes së saj në atë periudhë, duke kujtuar lotët e së ëmës përballë komenteve negative dhe sulmeve me të cilat ajo përballej. Sipas saj, ishte pikërisht mbështetja e rrethit të ngushtë që e ndihmoi të ecte përpara, derisa publiku e vlerësoi dhe e pranoi gjerësisht për talentin e saj, përtej çdo barriere kombësie.

Përveç rrëfimit personal, ylli i pop-it ndau me ndjekësit edhe detaje nga jeta private, duke treguar historinë e njohjes me partnerin e saj, ish-futbollistin e Olympiacos-it, Alberto Botía. Foureira deklaroi se pas një dekade së bashku, në nëntor të këtij viti çifti do të festojë 10-vjetorin e lidhjes së tyre, e cila nisi nga një mesazh në rrjetet sociale pas një performance të saj.

Jetën e tyre private e ka përmbushur edhe ardhja në jetë e djalit të tyre, Hermes, i lindur në shkurt të vitit 2023.

“Ndihem më mirë se kurrë me veten time. Kam më shumë vetëbesim dhe tani ndihem mirë edhe me papërsosmëritë e mia. Psikologjia ime ka ndryshuar që kur u bëra nënë. Mëmësia ka luajtur rolin më të rëndësishëm. Me mëmësinë u ndjeva e plotësuar, ndalova së u shqetësuari për gjëra të kota dhe fokusohem te më e rëndësishmja, te fëmija im”, tha ajo.

Dhe shtoi për bashkëshortin e saj: “Edhe tani, pas 10 vitesh, e shikoj Alberton dhe i them sa burrë i bukur është, Zoti ia ka dhënë të gjitha. Ndjej dashuri dhe admirim të pafund për Alberton dhe Ermisin. Alberto është një baba i mrekullueshëm.”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit