

GJKKO shpall të pafajshme kryebashkiaken e Roskovecit, Majlinda Bufi; rrëzohen akuzat e SPAK për krime zgjedhore
TIRANË – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur të pafajshme kryetaren e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, e cila akuzohej nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për përdorim të funksionit publik në veprimtari politike apo zgjedhore.
Përmes një vendimi të zbardhur këtë të mërkurë, trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Irena Gjoka ka argumentuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor "nuk provohet që e pandehura të ketë kryer veprën penale" për të cilën rëndonte akuza.
Në seancën e shpalljes së vendimit ajo nuk ishte e pranishme dhe u përfaqësua nga avokati i saj, Klodian Skënderaj.
Majlinda Bufi u hetua dhe u gjykua në gjendje të lirë nga organet e drejtësisë. Në pretencën e saj, Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar shpalljen fajtore të kryebashkiakes dhe dënimin e saj me 1 vit e 6 muaj burgim, me mundësi konvertimi në 2 vite shërbim prove.
Nga ana tjetër, Bufi i ka hedhur poshtë në mënyrë të vazhdueshme këto akuza që prej fillimit të procesit, duke kërkuar pafajësi, kërkesë e cila u pranua sot nga GJKKO.
Bufi u hetua dhe u gjykua në gjendje të lirë. SPAK e akuzoi se në cilësinë e kryetares së bashkisë i kishte kërkuar një qytetari të mos votonte në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe të mos përfshihej në aktivitetet politike të forcave të tjera, duke e kërcënuar.
SPAK raportohet të ketë refuzuar pajtimin me këtë vendim. Prokurorja e çështjes, Dorina Bejko, pritet ta ankimojë vendimin në Apelin e GJKKO.
Kryetarja socialiste e bashkisë së Roskovecit është kallëzuar edhe më herët në SPAK nga Partia Demokratike e Shqipërisë duke e akuzuar për shpërdorim detyre.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






