

Nikolla Agolli, Brian Syzo
KORÇË – Hetimet rreth plagosjes së rëndë të regjistruar dy ditë më parë në Pogradec kanë hedhur dritë mbi një skenë të mirëfilltë monitorimi dhe hakmarrjeje mes dy grupeve rivale. Policia e Korçës ka arritur të zbardhë qëllimin e vendosjes së një kamere sigurie sekrete, e cila u konstatua katër ditë më parë e fshehur në një pemë përgjatë rrugës që të çon drejt Burgut të Sigurisë së Lartë në Drenovë.
Nga këqyrja e pamjeve filmike dhe verifikimet e kryera nga komisariati vendas, rezulton se kamera është montuar nga vëllezërit Nikolla dhe Edison Agolli. Dyshohet se pajisja shërbente për të mbajtur nën vëzhgim lëvizjet pranë institucionit të vuajtjes së dënimit, specifikisht për të monitoruar Brian Syzon. Objektivi i vëllezërve Agolli ishte të sulmonin Syzon në momentin që ai do të paraqitej në burg për të takuar vëllain e tij, Sindi Syzo, i cili vuan dënimin pikërisht për plagosjen me thikë të Nikolla Agollit në ambientet e një berberhaneje.
Konflikti i hapur për motive hakmarrjeje kulmoi dy ditë më parë në qytetin liqenor, ku Nikolla Agolli qëlloi me armë zjarri drejt Brian Syzos. Agolli u arrestua nga policia vetëm pak minuta pas atentatit, ndërsa në pranga ka rënë edhe shtetasi David Prifti. Aktualisht, strukturat e Policisë së Shtetit janë vënë në ndjekje të dy personave të tjerë të shpallur në kërkim: Edison Agollit (vëllait të autorit) dhe Meardi Berberit, i njohur me pseudonimin "Koro", të cilët dyshohet se janë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së këtij grupi.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






