

Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e sotme një sërë ndryshimesh në vendimin për përcaktimin e kriterit të notës mesatare për kandidatët që aplikojnë në programet e studimeve të ciklit të parë dhe ato të integruara të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë.
Sipas rregullave të reja, pragu minimal i përgjithshëm i notës mesatare për të fituar të drejtën e studimit në universitet është caktuar 6.5.
Për sa u përket programeve të studimit në fushën e mësuesisë, qeveria ka vendosur kritere më të larta pranimi.
Konkretisht, kandidatët që synojnë programet e ciklit të parë në fushën e mësuesisë për gjuhët e huaja duhet të kenë një notë mesatare minimale 7.0. Ndërkaq, nota mesatare minimale 7.5 do të jetë kriteri hyrës për programet e ciklit të parë që japin akses në programet master në fushën e mësuesisë, si dhe për programin e studimit që përgatit mësues për arsimin parashkollor, i cili nuk jep akses në programet master për arsimin fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë.
Ky vendim sjell gjithashtu ndryshime teknike në dispozitat ekzistuese, duke zëvendësuar shtojcat përkatëse me një shtojcë të re që liston saktësisht programet ku aplikohen këto kritere të veçanta. Për zbatimin e këtyre pikave janë ngarkuar Ministria e Arsimit, institucionet e arsimit të lartë, si dhe strukturat e arsimit parauniversitar dhe të mesëm në vend.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






