

FLORIDA, SHBA – Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Shtetet e Bashkuara, ku një grua 31-vjeçare ka humbur jetën tragjikisht pas sulmit nga një aligator. Ngjarja e rëndë u shënua në ujërat e lumit Econlockhatchee, i cili ndodhet brenda zonës së mbrojtur të Pyllit Shtetëror "Little Big Econ".
Viktima është identifikuar si Brittany Clark. Ajo kishte dalë për një shëtitje në natyrë së bashku me partnerin e saj, Chance Allison. Sipas raportimeve zyrtare nga autoritetet lokale, çifti kishte vendosur të hynte për të notuar në ujërat e cekëta të lumit, moment kur një aligator masiv, rreth 3.7 metra i gjatë, ka dalë papritur duke e sulmuar egërsisht 31-vjeçaren.
Lufta me aligatorin dhe dëshmitë dramatike
Zyrtarë nga Komisioni për Ruajtjen e Peshqve dhe Jetës së Egër të Floridës bënë me dije se gruaja u kafshua rëndë në të dyja duart. Partneri i saj ndërhuri menjëherë në mënyrë heroike për ta shpëtuar, duke luftuar trup me trup me reptilin dhe duke arritur t’i çlironte njërën dorë. Megjithatë, aligatori u kthye në sulm për herë të dytë, duke i shkaktuar asaj plagë të tjera të rënda.
Në telefonatat dramatike të bëra drejt numrit të emergjencës 911, dëshmitarët në vendngjarje e përshkruan situatën si jashtëzakonisht kritike, duke raportuar për dëmtime serioze dhe një humbje masive gjaku.
Reagimi i autoriteteve
Ekipet e emergjencës mjekësore mbërritën me shpejtësi në vendin e ngjarjes, bur pavarësisht përpjekjeve të tyre të menjëhershme për ta mbajtur në jetë, 31-vjeçarja ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital.
Pas tragjedisë, autoritetet arritën ta lokalizonin aligatorin agresiv dhe e eliminuan atë, ndërsa trupi i kafshës u mor nga ekspertët si provë materiale për hetimet e mëtejshme.
Sipas mediave amerikane, Brittany Clark njihej si një person mjaft i apasionuar pas natyrës dhe aktiviteteve në ambient të hapur, ndërsa prej vitesh punonte profesionalisht si operatore buldozeri.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






