Transmetuar më 01-07-2026, 07:17

MEXICO CITY – Meksika është kualifikuar në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti me rezultatin 2-0 Ekuadorin në stadiumin legjendar "Azteca".

Takimi, i planifikuar të niste në orën 03:00 me kohën shqiptare, u shty me një orë për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe aktivitetit të lartë elektrik që përfshiu kryeqytetin meksikan.

Skuadra vendase dominoi sfidën që nga minutat e para dhe zgjidhi gjithçka brenda pjesës së parë. Julian Quinones kaloi Meksikën në avantazh në minutën e 22-të, ndërsa Raul Jimenez dyfishoi shifrat në minutën e 31-të, duke vulosur fitoren dhe kualifikimin.

Me golin e shënuar ndaj Ekuadorit, Jimenez u ngjit në vendin e dytë të golashënuesve më të mirë në historinë e kombëtares meksikane me 48 gola, duke u renditur pas Javier "Chicharito" Hernandez.

Ekuadori e mbylli ndeshjen me dhjetë lojtarë, pasi Piero Hincapie u ndëshkua me karton të kuq në minutat shtesë.

Falë këtij suksesi, Meksika avancon në fazën e 1/8-ave, ku do të përballet me fituesin e çiftit Angli – Republika Demokratike e Kongos.

Meksikanët vijojnë ecurinë perfekte në Botërorin 2026, me katër fitore në po aq ndeshje, ndërsa mbeten skuadra e vetme e turneut që nuk ka pësuar ende asnjë gol.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit