Transmetuar më 01-07-2026, 07:13

Ronald Koeman ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të kombëtares së Holandës, menjëherë pas eliminimit të "Tulipanëve" nga Maroku në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026.

Trajneri 63-vjeçar e bëri publik vendimin përmes një deklarate në rrjetet sociale, ku mori përgjegjësinë e plotë për dështimin e skuadrës në turne.

"Dje mora vendimin për t’i dhënë fund periudhës sime si trajner i kombëtares holandeze. Të gjithë ndanim ëndrrën për të bërë histori në këtë Botëror, por nuk ia dolëm. Askush nuk është më i zhgënjyer se unë. Si trajner, përgjegjësia bie mbi mua", shkroi Koeman.

Holanda u eliminua nga Maroku pas goditjeve të penalltive, pasi koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazim 1-1.

Koeman mori drejtimin e përfaqësueses në janar të vitit 2023, në mandatin e tij të dytë në stolin e Holandës, pasi më herët e kishte drejtuar ekipin edhe gjatë periudhës 2018-2020.

Në deklaratën e tij, tekniku holandez la të kuptohej se mund të largohet përfundimisht edhe nga futbolli, duke theksuar se situata familjare ka ndikuar në vendimin e marrë.

"Vitet e fundit më kanë bërë të kuptoj se ka gjëra më të rëndësishme se futbolli. Futbolli ka qenë jeta ime, por shëndeti është i paçmuar. Kur njeriu që do më shumë po përballet me një betejë të vështirë, këndvështrimi yt ndryshon. Pavarësisht sëmundjes së saj, bashkëshortja ime Bartina më ka mbështetur çdo ditë dhe i jam pafundësisht mirënjohës", u shpreh ai.

Edhe drejtori teknik i Federatës Holandeze të Futbollit (KNVB), Nigel de Jong, e cilësoi paraqitjen në Botëror një dështim.

"Objektivi ynë ishte të arrinim në gjysmëfinale, ndërsa ambicia ishte të shpalleshim kampionë bote. Fatkeqësisht nuk ia dolëm dhe duhet ta pranojmë se jemi ende larg nivelit që synojmë", deklaroi ai.

Ndërkohë, KNVB dënoi ashpër komentet raciste të drejtuara ndaj Justin Kluivert, Quinten Timber dhe Crysencio Summerville, të cilët humbën penalltitë në sfidën ndaj Marokut.

Federata bëri të ditur se rastet do t’u referohen autoriteteve kompetente për diskriminimin në internet, me synimin që autorët e komenteve të urrejtjes të mbajnë përgjegjësi ligjore.

"Futbolli bashkon miliona njerëz, ndërsa diskriminimi bën të kundërtën. Ai bie ndesh me gjithçka që përfaqëson futbolli", thuhet në reagimin zyrtar të Federatës Holandeze.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit