

Tiranë, 30 qershor 2026 – Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, është shprehur se qeveria mbetet e hapur për dialog me protestuesit, por jo për të negociuar kërkesën për dorëheqjen e saj.
Në një intervistë televizive, Klosi tha se kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca kanë shprehur gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe për të zhvilluar bisedime për çështjet që lidhen me qeverisjen.
“Së vetmja kërkesë nga Edi Rama dhe qeveria ka qenë: hajde të negociojmë dhe t’ju dëgjojmë për hallet që keni dhe çfarë kërkohet nga qeveria. Ka mundësi që të krijohet një përfaqësi që ditën e parë,” u shpreh Klosi.
Ai theksoi se, sipas tij, nuk mund të ketë negociata kur kërkesa e vetme e protestuesve është dorëheqja e qeverisë.
“Tani ka vetëm një kërkesë, dorëheqjen e qeverisë. Nuk e di si mund të ulet një qeveri kur ata që kërkojnë atë të rrëzohet. Të negociojmë rrëzimin? Grupe që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë ka çdo ditë. Kjo nuk do të thotë që qeveria të japë dorëheqjen,” deklaroi ai.
Klosi solli në vëmendje edhe protestat e organizuara ndër vite nga Partia Socialiste kur ishte në opozitë, duke theksuar se protesta është një e drejtë demokratike, por se kërkesa për dorëheqjen e qeverisë nuk nënkupton domosdoshmërisht realizimin e saj.
“Ne kemi bërë më shumë protesta se ata. Ne rrinim aty me ditë e me natë. Edhe Berisha nuk e dha dorëheqjen,” u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS-së.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






