

Bruksel, 30 qershor 2026 – Komisioni Evropian ka miratuar një paketë financiare me vlerë rreth 3.2 miliardë euro për Malin e Zi, një hap që konsiderohet ndër më të rëndësishmit në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Paketa shoqërohet me nisjen e përgatitjeve për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit dhe synon të lehtësojë kalimin e Malit të Zi nga statusi i vendit kandidat në atë të shtetit anëtar.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cilësoi vendimin si një hap konkret drejt integrimit të plotë të Malit të Zi në BE.
“Po përgatisim Malin e Zi, shtetet anëtare dhe institucionet tona, sepse zgjerimi ka sukses vetëm kur është një projekt i përbashkët evropian, i ndërtuar mbi merita, përkushtim dhe besim”, u shpreh ajo.
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, theksoi se paketa financiare do të sigurojë një tranzicion sa më të lehtë drejt anëtarësimit.
“Kjo do ta bëjë kalimin e Malit të Zi nga një vend kandidat në një shtet anëtar sa më të lehtë që është e mundur dhe do të garantojë vazhdimësi që nga dita e parë e anëtarësimit”, deklaroi Kos.
Sipas Komisionit Evropian, paketa është ndërtuar mbi parashikimin që Mali i Zi të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian në vitin 2028. Ajo është pjesë e negociatave për Kapitullin 33, që lidhet me dispozitat financiare dhe buxhetore, dhe përcakton mënyrën se si vendi do të marrë pjesë në buxhetin e përbashkët të BE-së.
Nëse anëtarësimi realizohet sipas këtij afati, Mali i Zi do të ketë akses të menjëhershëm në fondet e Bashkimit Evropian, ndërsa njëkohësisht do të nisë të kontribuojë në buxhetin e përbashkët, duke shmangur ndërprerjet në financimin e programeve dhe projekteve.
Sipas propozimit të Komisionit Evropian, Mali i Zi mund të përfitojë gjatë periudhës 2028–2034 rreth 1.99 miliardë euro përmes Planit Kombëtar dhe Rajonal të Partneritetit, 277 milionë euro nga Politika e Përbashkët Bujqësore, 592 milionë euro për programet e punëve të brendshme, 37 milionë euro për programet e bashkëpunimit ndërkufitar Interreg, si dhe fonde shtesë nga programe të tjera evropiane.
Autoritetet në Podgoricë e kanë cilësuar vendimin si një sinjal të fortë politik se Bashkimi Evropian e konsideron Malin e Zi kandidatin më të avancuar për t’u bërë anëtari i ardhshëm i bllokut.
Deri më tani, Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 16 nga 33 kapitujt e negociatave të anëtarësimit dhe synon përfundimin e tyre deri në fund të këtij viti, me objektivin për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian në vitin 2028.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






