Transmetuar më 30-06-2026, 22:58

Tiranë, 30 qershor 2026 – Ka përfunduar protesta e 31-të e zhvilluar në Tiranë, ku pjesëmarrësit mbyllën marshimin me thirrjet “Nesër më shumë” dhe “Ju erdhi fundi”, duke deklaruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Pas fjalimeve të mbajtura përpara Kryeministrisë, protestuesit marshuan drejt disa institucioneve kryesore të kryeqytetit, mes tyre Bashkia e Tiranës, Kuvendi dhe selia e Partisë Demokratike.

Gjatë marshimit u dëgjuan slogane të ndryshme, përfshirë thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike, ndërsa pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe flamuj kombëtarë.

Organizatorët deklaruan se lëvizja, e cila nisi pas ngjarjeve në Zvërnec, tashmë është përqendruar në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e objektivave të shpallura.

Sipas organizatorëve, kërkesat kryesore të protestës janë:

Dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë. Krijimi i një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor. Ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore, të miratuara përmes referendumit popullor. Shfuqizimi i disa ndryshimeve ligjore, përfshirë ato për zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, Paketën e Maleve dhe investimet strategjike. Hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, në konsultim me ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Protesta u zhvillua në një klimë të tensionuar politikisht, pas incidenteve të regjistruara më herët gjatë ditës pranë Kuvendit, ku pati përplasje mes një grupi protestuesish dhe forcave të policisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit