

Romë, 30 qershor 2026 – Vala e fortë e të nxehtit që ka përfshirë Europën po vijon të ketë pasoja në Itali, ku gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar pesë viktima si pasojë e temperaturave ekstreme, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Autoritetet italiane kanë vendosur alarmin e kuq, niveli më i lartë i rrezikut, në 25 qytete të mëdha të vendit, ndërsa parashikimet tregojnë se situata pritet të mbetet e pandryshuar edhe gjatë ditës së nesërme.
Meteorologët parashikojnë një ndryshim gradual të kushteve atmosferike duke filluar nga pasditja e së mërkurës, kur në Italinë veriore priten reshje të dendura shiu, në disa zona të shoqëruara edhe me breshër. Të enjten, moti i paqëndrueshëm pritet të shtrihet edhe në pjesën qendrore të vendit.
Në përpjekje për të zbutur ndikimin e temperaturave ekstreme, shumë bashki italiane kanë vendosur hapjen falas të muzeve deri në përfundimin e valës së të nxehtit. Së bashku me palestrat dhe qendrat kulturore, këto ambiente po përdoren si “strehë klimatike”, ku qytetarët dhe turistët mund të gjejnë kushte më të freskëta gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






