

Tiranë, 30 qershor 2026 – Matematikani gjerman Joachim Klement, i njohur për parashikimet e tij të sakta mbi fituesit e tre edicioneve të fundit të Kupës së Botës, nuk ka arritur të përsërisë suksesin në Botërorin 2026.
Klement kishte parashikuar se Holanda do të shpallej kampione bote, por përfaqësuesja holandeze u eliminua në fazën e 1/16-ave, pasi u mposht nga Maroku pas ekzekutimit të penalltive.
Ai kishte tërhequr vëmendjen e opinionit sportiv pasi më herët kishte parashikuar saktë fituesit e turneve të vitit 2014, 2018 dhe 2022, respektivisht Gjermaninë, Francën dhe Argjentinën.
Modeli i tij statistikor bazohet në disa faktorë, përfshirë Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendeve, popullsinë, rëndësinë e futbollit në shoqëri, renditjen në FIFA, si dhe elemente të rastësisë.
Sipas simulimeve të publikuara para turneut, Klement kishte parashikuar gjysmëfinalet Portugali–Angli dhe Holandë–Spanjë, me një finale të mundshme mes Holandës dhe Portugalisë.
Megjithatë, vetë matematikani ka theksuar më herët se futbolli mbetet thellësisht i paparashikueshëm dhe se asnjë model statistikor nuk mund të garantojë rezultate të sakta në fushë.
“Futbolli është irracional. Nëse dikush vendos bast bazuar vetëm te parashikimet e mia, nuk është duke vepruar me mençuri”, është shprehur ai më herët.
Dështimi i parashikimit për Botërorin 2026 shihet si një tjetër dëshmi e kufizimeve të modeleve statistikore në parashikimin e rezultateve sportive.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






