

Koreja e Jugut – Autoritetet koreano-jugore kanë marrë masa të shtuara sigurie për mbërritjen e ekipit kombëtar të futbollit në aeroportin e Incheon, pas kërcënimeve me vdekje ndaj trajnerit në largim, Hong Myung-bo.
Sipas mediave vendase, Agjencia Metropolitane e Policisë së Incheon ka mobilizuar 160 efektivë të policisë dhe 25 roje private sigurie për të garantuar rendin gjatë kthimit të kombëtares. Masat u morën pasi në rrjet u publikuan mesazhe kërcënuese, ku një person shprehte synimin për të sulmuar trajnerin në aeroport.
Në një deklaratë zyrtare, policia bëri të ditur se forcat e rendit do të ndërhyjnë ndaj çdo veprimi të paligjshëm që mund të rrezikojë sigurinë publike.

Hong Myung-bo, 57 vjeç, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i përfaqësueses pas eliminimit të Koresë së Jugut nga Kupa e Botës. Kombëtarja arriti të fitojë vetëm një ndeshje dhe nuk mundi të sigurojë kualifikimin nga grupi, duke u renditur pas Meksikës dhe Afrikës së Jugut.
Dorëheqja e trajnerit erdhi mes kritikave të forta për paraqitjen e skuadrës dhe kërkesës së presidentit të vendit për hetim mbi performancën e ekipit kombëtar.
Hong mori drejtimin e përfaqësueses në vitin 2024, pas largimit të Jurgen Klinsmann. Emërimi i tij, ashtu si ai i paraardhësit, u vu në pikëpyetje nga Gjykata Administrative e Seulit, e cila konstatoi se presidenti i Federatës së Futbollit kishte anashkaluar procedurat e parashikuara gjatë procesit të përzgjedhjes së trajnerëve.
Kjo ishte hera e dytë që Hong Myung-bo drejtonte Korenë e Jugut në një Kupë Bote, pasi më parë kishte qenë në krye të ekipit edhe në edicionin e vitit 2014, ku skuadra u eliminua në fazën e grupeve pa regjistruar asnjë fitore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






