Transmetuar më 30-06-2026, 18:19

Tiranë, 30 qershor 2026 – Policia e Shtetit ka përditësuar bilancin e aksidentit të rëndë rrugor të ndodhur rreth orës 15:00 në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia, duke saktësuar se si pasojë e ngjarjes ka humbur jetën drejtuesi i autobusit, ndërsa 12 pasagjerë kanë mbetur të plagosur.

Sipas njoftimit zyrtar, viktima është shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë. Nga 12 të dëmtuarit, shtatë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa pesë të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë po marrin trajtim mjekësor në institucionet shëndetësore.

Policia sqaron se informacioni paraprak, i cili fliste për dy viktima dhe 15 të lënduar, u ndikua nga situata e rënduar në vendngjarje dhe transportimi i të plagosurve në disa spitale.

Në njoftim bëhet me dije se një fëmijë, i cili mbërriti në një spital privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë falë ndërhyrjes së ekipit mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Më pas ai u transportua në Spitalin Ushtarak, ku vijon të jetë nën kujdes intensiv.

Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.

Njoftimi i Policisë:

Përditësim informacioni dhe saktësim i të dhënave për aksidentin e rëndë rrugor, të ndodhur rreth orës 15:00, në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia. Në vijim të deklaratës për media të dhënë nga Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, në të cilën u deklarua se si pasojë e aksidentit kishin humbur jetën dy shtetas dhe 15 shtetas të tjerë po merrnin ndihmë mjekësore, pas saktësimit të informacionit rezulton se:

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një shtetas, konkretisht drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë. Gjithashtu, janë dëmtuar 12 shtetas, pasagjerë në autobus, dhe jo 15 shtetas. Nga të dëmtuarit, 7 shtetas janë në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë të dëmtuarit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Konfuzioni në raportimin fillestar u krijua për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të dëmtuarve si në spitalin shtetëror, ashtu edhe në një spital privat. Një fëmijë, i cili mbërriti në spitalin privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë nga ekipi mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Më pas, fëmija është transportuar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor. Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit