

TIRANË – Është publikuar përmbajtja e një emaili që, sipas raportimeve, u është dërguar anëtarëve të Parlamentit Evropian nga ministrja Bora Muzhaqi, me kopje për ministrin Taulant Balla, lidhur me dy amendamente të propozuara në Raportin për Shqipërinë 2025, që trajtojnë projektin turistik në zonën e Zvërnecit.
Publikimi i emailit vjen pasi eurodeputetja gjermane Jutta Paulus deklaroi një ditë më parë se kishte marrë një mesazh nga kryeministri Edi Rama, përmes të cilit, sipas saj, kërkohej të mos mbështeteshin amendamentet përkatëse gjatë votimit në Parlamentin Evropian.
Sipas dokumentit, emaili është dërguar më 16 qershor 2026 nga Bora Muzhaqi, me Taulant Ballën në kopje, dhe u drejtohet eurodeputetëve me argumente kundër amendamenteve 4 dhe 17 të raportit.
Në mesazh thuhet se këto amendamente "nuk bazohen në premisa të vërteta", por janë "rezultat i një fushate dezinformimi", ndërsa eurodeputetëve u kërkohet të mos i mbështesin gjatë votimit.
Qeveria argumenton se projekti në Zvërnec nuk ka marrë ende leje ndërtimi, por vetëm leje zhvillimi, e cila, sipas saj, nuk autorizon nisjen e punimeve. Gjithashtu, theksohet se çdo fazë e mëtejshme do të kushtëzohet nga hartimi i një projekti të detajuar dhe realizimi i një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe atë të Bashkimit Evropian.
Në email thuhet gjithashtu se statusi i mbrojtur i zonës Pishë Poro–Nartë nuk ka ndryshuar dhe se ajo vijon të gëzojë statusin e "Peizazhit të Mbrojtur", ndërsa sa i përket pronësisë, qeveria thekson se toka ku parashikohet zhvillimi është pronë private dhe se institucionet shtetërore nuk janë palë në transaksionet e pronësisë që lidhen me projektin.
Në fund të mesazhit, autorët shprehin mbështetjen për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore të Shqipërisë dhe angazhimin për zbatimin e legjislacionit mjedisor të Bashkimit Evropian, ndërsa falënderojnë raportuesin Andreas Schieder dhe raportuesit në hije për punën në hartimin e Raportit për Shqipërinë 2025.
Çështja e projektit në Zvërnec ka ngjallur debat publik dhe politik, ndërsa organizata mjedisore dhe banorë të zonës kanë shprehur kundërshtimin e tyre, duke kërkuar mbrojtjen e ekosistemit të zonës së Nartës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






