

TIRANË – Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka apeluar qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, duke theksuar se goditja nga i nxehti është një urgjencë mjekësore që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Sipas ministrisë, njohja e shenjave paralajmëruese dhe reagimi në kohë janë thelbësore për parandalimin e komplikacioneve serioze dhe shpëtimin e jetës së personave të prekur.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve të informohen mbi rreziqet që sjell moti i nxehtë, të zbatojnë rekomandimet për mbrojtjen e shëndetit dhe t’i ndajnë këto këshilla me familjarët dhe personat më të rrezikuar, si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
Ministria rekomandon që të kërkohet ndihmë mjekësore nëse simptomat e shkaktuara nga temperaturat e larta përkeqësohen ose zgjasin më shumë se një orë. Ndërkohë, ndihma urgjente duhet kërkuar menjëherë në rastet kur simptomat janë të rënda ose kur personi vuan nga probleme shëndetësore shoqëruese, si hipertensioni.
Për të reduktuar efektet e të nxehtit, MSHMS këshillon konsumimin e lëngjeve të freskëta pa alkool dhe pa sheqer, qëndrimin në ambiente të freskëta ose me ajër të kondicionuar, pushimin gjatë orëve më të nxehta të ditës, veshjen e rrobave të lehta dhe bërjen e një dushi freskues me ujë të vakët.
Ministria e Shëndetësisë thekson se parandalimi dhe reagimi i shpejtë mbeten masat më efektive për të shmangur pasojat e rënda shëndetësore gjatë valëve të të nxehtit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






