Transmetuar më 30-06-2026, 14:17

VLORË, 30 qershor – Në Pashaliman u nënshkrua këtë të martë Memorandumi i Bashkëpunimit mes kompanisë italiane të industrisë detare FINCANTIERI, kompanisë shtetërore KAYO dhe Shkollës Industriale “Pavarësia”, një marrëveshje që synon zhvillimin e industrisë detare në Shqipëri, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe krijimin e rreth 500 vendeve të reja të punës.

Në ceremoninë e zhvilluar në Vlorë ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi projektin si pjesë të strategjisë për forcimin e industrisë së mbrojtjes dhe përmbushjen e objektivave të Shqipërisë në kuadër të NATO-s.

Memorandumi parashikon bashkëpunim në zhvillimin e praktikave profesionale, formimin e specialistëve dhe krijimin e mundësive të punësimit në sektorin e ndërtimit dhe industrisë detare.

Administratori i KAYO-s, Ardi Veliu, deklaroi se partneriteti me FINCANTIERI do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e industrisë ushtarake dhe forcimin e kapaciteteve profesionale, duke ndërtuar një bazë të qëndrueshme për zgjerimin e aktivitetit të kompanisë.

Sipas tij, projektet afatgjata që do të realizohen në kuadër të këtij bashkëpunimi pritet të gjenerojnë të ardhura të qëndrueshme dhe të konsolidojnë rolin e KAYO-s si një nga aktorët kryesorë të industrisë shqiptare.

Nga ana e tij, kryeministri Rama bëri të ditur se pas këtij aktiviteti qeveria do të miratojë një akt normativ për rritjen e financimit të sektorit të mbrojtjes, me synimin që shpenzimet të arrijnë në 2.6% të buxhetit të përgjithshëm të shtetit, në përputhje me angazhimet e Shqipërisë në NATO.

Ai theksoi se përfitues të drejtpërdrejtë të këtij financimi do të jenë Ministria e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura dhe të gjitha strukturat që do të bëhen pjesë e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes.

Kryeministri nënvizoi gjithashtu se projekti do të krijojë rreth 500 vende pune në Pashaliman, të orientuara kryesisht drejt specialistëve të kualifikuar dhe të diplomuarve në arsimin profesional.

Sipas Ramës, punësimi në këtë sektor do të kërkojë jo vetëm aftësi profesionale, por edhe plotësimin e kritereve të sigurisë, për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë të aktivitetit me sistemin e mbrojtjes së vendit.

Projekti synon rritjen e kapaciteteve të industrisë ushtarake shqiptare për prodhimin e mjeteve detare, të destinuara si për nevojat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ashtu edhe për vendet aleate. Investimi pritet të ketë në fokus veçanërisht të rinjtë dhe të diplomuarit e shkollave profesionale, duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe zhvillimi në sektorin industrial.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit