

TIRANË – Një grup protestuesish kanë bllokuar mesditën e sotme hyrjen e Kuvendit, duke tentuar të pengojnë daljen e deputetëve dhe ministrave nga salla ku po zhvillohej seanca plenare.
Në momentin e largimit të disa prej zyrtarëve, protestuesit i kanë goditur ata me vezë. Situata ka degraduar në përplasje të njëpasnjëshme fizike me forcat e policisë në terren.
Për shkak të tensioneve, blutë kanë kërkuar përforcime, duke sjellë në ndihmë efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) për të marrë në kontroll situatën.
Protestuesit kanë tentuar të bllokojnë hyrje-daljet e deputetëve, duke lëvizur nga njëra hyrje e Parlamentit te tjetra. Kjo ka sjellë tensione me efektivët e policisë, të cilët kanë ndërhyrë për të mos lejuar bllokimin e rrugës dhe për të garantuar lëvizjen e automjeteve të ligjvënësve.
Policia ka krijuar një kordon sigurie për të mundësuar daljen e deputetëve, ndërsa në mbështetje të forcave të Tiranës kanë mbërritur edhe efektivë të repartit “Shqiponja”, me qëllim mbajtjen nën kontroll të situatës.
Më herët, protestuesit kanë hedhur vezë në drejtim të automjeteve të deputetëve, të cilët i akuzojnë se nuk përfaqësojnë qytetarët. Vezë janë hedhur edhe ndaj mjeteve të policisë.
Protestuesit vijojnë të qëndrojnë rreth Parlamentit, ndërsa seanca plenare vazhdon normalisht dhe forcat e policisë mbeten të pranishme në zonë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






