

Situata përpara godinës së Kuvendit ka njohur një tjetër valë tensioni, teksa brenda sallës po vijon seanca plenare. Protestuesit e mbledhur që prej orëve të para të mëngjesit kanë përshkallëzuar formën e tyre të revoltës duke sjellë kosha mbeturinash përpara kordonit të sigurisë, nën thirrjet e forta "Këtu e keni vendin", "Parlamenti në kosh" dhe "Rama n’kosh, Berisha n’kosh".
Gjatë tubimit, i cili pason protestat e përnatshme që po zhvillohen përpara Kryeministrisë, pjesëmarrësit kanë thirrur në kor edhe mesazhe kundër krerëve të dy kampeve kryesore politike në vend, duke bërtitur "Rama në burg, Berisha në burg". Krahas kërkesave për dorëheqjen e qeverisë, një nga kauzat e artikuluara fuqishëm nga ana e tubuesve ka qenë edhe kërkesa e prerë për anulimin e menjëhershëm të ligjit për zonat e mbrojtura.
Përveç hedhjes së sendeve në drejtim të godinës dhe makinave të parkuara pranë Kuvendit, në mjediset e protestës janë shënuar edhe përplasje dhe momente tensioni mes vetë pjesëmarrësve. Situata është shoqëruar me ofendime të ndërsjella, ku disa prej personave të pranishëm janë akuzuar nga turma si "patronazhistë" dhe provokatorë të infiltruar për të dëmtuar qëllimin e tubimit. Forcat e rendit po mbajnë nën monitorim të rreptë perimetrin e institucionit për të parandaluar incidentet fizike.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






