

TIRANË – Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar zyrtarisht shpalljen e ligjit “Për dhënie amnistie”, duke i hapur rrugën lirimit dhe lehtësimit të dënimeve për mijëra persona. Përmes dekretit numër 375, kreu i shtetit ka kaluar paketën e amnistisë penale të miratuar nga Kuvendi, së bashku me dy ligje të tjera që lidhen me sektorin e energjisë elektrike dhe informacionin elektronik të transportit të mallrave.
Sipas të dhënave zyrtare të prezantuara nga Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ky është një nga operacionet më të mëdha humane ligjore, nga i cili pritet të përfitojnë në total 6,412 persona përmes formave të ndryshme, ku përfshihet lirimi i menjëhershëm, ulja e dënimit ose shuarja e shërbimit të provës.
Ndryshimi kryesor në ligjin e dekretuar lidhet me shtrirjen e kohës së zbatimit. Fillimisht ishte parashikuar që përfitues të ishin personat me vendim të formës së prerë deri më 31 dhjetor të vitit 2025, por varianti përfundimtar e ka zgjeruar këtë fashë deri më 31 maj të vitit 2026. Ligji sqaron se të burgosurit do të përfitojnë edhe nëse vendimi i Apelit nuk është zbardhur ende brenda këtij afati.
Nga kjo skemë sigurohet lirimi i menjëhershëm i 466 të dënuarve, mes të cilëve janë 11 gra dhe 1 i mitur, ndërsa 869 të tjerë do të kenë ulje të dënimit të mbetur. Kriteret bazë të përfitimit nisin nga masa e dënimit dhe mosha. Kështu, lirohen burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet (ose që u kanë mbetur deri në 3 vjet për të vuajtur) dhe gratë e dënuara deri në 4 vjet (ose që u kanë mbetur 4 vjet nga dënimi). Po ashtu, përfitojnë automatikisht burrat mbi 60 vjeç, gratë mbi 50 vjeç dhe personat që kanë qenë nën 18 vjeç në kohën e kryerjes së veprës, me kushtin që të mos jenë dënuar për krime të rënda.
Ligji parashikon gjithashtu efekte të mëdha mbi masat alternative të dënimit, ku 2,163 persona do të përfitojnë shuarje të plotë të shërbimit të provës, ndërsa 2,914 të tjerë do të kenë ulje të kohës së mbikëqyrjes. Për më tepër, amnistia do të sjellë edhe shuarjen e ndjekjes penale për disa kundërvajtje dhe vepra me rrezikshmëri të ulët, procedurë që do të ekzekutohet nga gjykatat dhe prokuroritë përkatëse.
Nga ana tjetër, kuadri ligjor mban barriera të pakapërcyeshme për krimet e rënda. Jashtë kësaj amnistie mbeten në mënyrë kategorike të gjithë personat e dënuar për vrasje me dashje, krime kundër njerëzimit, përdhunime, trafikim të qenieve njerëzore, dhunë ndaj fëmijëve, rrëmbime dhe akte terroriste. Gjithashtu, nuk përfitojnë personat që i janë shmangur drejtësisë apo janë arratisur për të mos ekzekutuar vendimin.
Një ndalesë e prerë vlen për të gjitha çështjet që bien nën juridiksionin e SPAK dhe Gjkatës së Posaçme (GJKKO). Çdo person i dënuar për korrupsion zyrtar, pastrim parash, krim të organizuar apo krime zgjedhore përjashtohet plotësisht, pavarësisht masës së dënimit. Gjatë diskutimeve në Kuvend, shumica socialiste refuzoi dy amendamente të opozitës: atë të Arjan Ndojit që kërkonte përfshirjen e të dënuarve nga SPAK, dhe atë të Jorida Tabakut që kërkonte që amnistia të fshinte dënimet për fyerje dhe shpifje. Ligji i ri pritet të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






