Transmetuar më 30-06-2026, 10:56

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një mesazhi të gjatë në rrjetet sociale lidhur me protestën e tensionuar që po zhvillohet përpara godinës së Kuvendit. Kreu i qeverisë ka bërë një ndarje të prerë mes qytetarëve që sipas tij protestojnë për probleme dhe shqetësime reale, dhe organizatorëve apo faktorëve politikë që qëndrojnë pas tubimit, të cilët i ka cilësuar si "dështakë të zemëruar".

Në qëndrimin e tij, Rama theksoi se qytetarët kanë çdo të drejtë të protestojnë dhe se mesazhi i zemërimit të tyre të sinqertë do të lexohet me vëmendje dhe përulësi nga shumica qeverisëse. Ai u shpreh se ky reagim qytetar do të kthehet në energji për projektin e Shqipërisë së vitit 2030 në Bashkimin Europian, duke premtuar një reflektim të thellë të mazhorancës për të qenë edhe më pranë njerëzve.

Nga ana tjetër, kryeministri nuk i ka kursyer sulmet e ashpra ndaj asaj që e quajti "korja e mbetjeve socio-politike të bulevardit". Sipas Ramës, pas këtij organizimi fshihen personazhe që shfryjnë mllefe personale dhe që përfaqësojnë shembëlltyrën më të zezë të alternativave politike të këtyre 35 viteve në Shqipëri. Ai e mbylli reagimin e tij duke deklaruar se nga kjo situatë shumica qeverisëse do të dalë me një vullnet të ripërtërirë, ndërsa ata që tentuan të keqpërdorin qytetarët do të dështojnë plotësisht.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit