

Paraguai ka shpallur zyrtarisht të martën ditë feste kombëtare për të kremtuar triumfin historik ndaj Gjermanisë në Kupën e Botës, një sukses që i siguroi kombëtares amerikano-jugore kualifikimin e madh për në fazën e 1/8-ave. Vendimi i jashtëzakonshëm u mor nga presidenti i vendit, Santiago Peña, i cili e cilësoi këtë fitore si një moment që tejkalon kornizat e sportit dhe përfaqëson më së miri identitetin dhe forcën e popullit paraguaian.
Ndeshmja dramatike u mbyll në barazim 1:1 pas kohës së rregullt dhe shtesave, por në ekzekutimin e penalltive ishin paraguaianët ata që u treguan më të saktë, duke triumfuar me rezultatin 4:3. Ky eliminim i katër herë kampionëve të botës po konsiderohet tashmë si një nga befasitë më të mëdha dhe më tronditëse në historinë e këtij kompeticioni.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku u shfaq duke nënshkruar dekretin presidencial, kreu i shtetit deklaroi se sot po feston një vend i tërë, duke vlerësuar skuadrën për vendosmërinë dhe besimin e treguar në fushë. Në tekstin e dekretit zyrtar nënvizohet se qeveria nuk mund të qëndronte indiferente ndaj kësaj arritjeje të jashtëzakonshme, duke krijuar të gjitha kushtet që qytetarët të mblidhen lirshëm për të festuar.
Interesant është fakti se Paraguai bëhet vendi i dytë i Amerikës së Jugut që shpall festë kombëtare pas një goditjeje ndaj Gjermanisë në këtë Botëror. Vetëm një javë më parë, edhe Ekuadori shpalli ditë pushimi pasi mposhti gjermanët 2:1 në fazën e grupeve, duke e kthyer këtë edicion të Kupës së Botës në një makth të vërtetë për përfaqësuesen europiane.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






