Transmetuar më 30-06-2026, 10:03

TIRANË – Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dalë me një reagim zyrtar duke zbardhur kronologjinë e plotë të ngjarjes së rëndë të ndodhur në IEVP “Jordan Misja” (Burgu 313), ku humbën jetën gjatë detyrës dy punonjës të stafit. Sipas autoriteteve, dy zyrtarët kanë pësuar gjendje të rënda shëndetësore në një distancë prej rreth dy orësh nga njëri-tjetri, duke u gdhirë data 30 Qershor.

Në njoftim bëhen me dije edhe gjeneralitetet e sakta dhe gradat e dy punonjësve që humbën jetën:

Komisar Zog Muhametaj, me detyrë Specialist i Informacionit.

Kryeinspektor Pëllumb Vrana, me detyrë Teknik i Kamerave.

Kronologjia e ngjarjes sipas procesverbalit zyrtar

Institucioni ka sqaruar se si rrodhën ngjarjet dramatike gjatë ndërrimit të shërbimit dhe gjatë natës:

Ora 21:36 (29 Qershor): Komisari Zog Muhametaj ka qenë duke bërë instruktazhin e stafit për ndërrimin e shërbimit, kur ka pësuar një krizë të papritur shëndetësore. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve të institucionit dhe transportit me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak (Spitali i Traumës), ai nuk arriti të mbijetonte.

Ora 00:00 (30 Qershor): Teksa institucioni ishte nën tronditjen e ngjarjes së parë, tekniku i kamerave, Pëllumb Vrana, ka shfaqur gjithashtu probleme të rënda shëndetësore gjatë ushtrimit të detyrës. Atij i është dhënë ndihma e parë nga infermierja e burgut dhe është dërguar me urgjencë në QSUT, ku ka ndërruar jetë rreth orës 01:00 të mëngjesit.

Komisar Muhametaj ishte pjesë e sistemit penitenciar që prej vitit 2015 (prej vitit 2023 te "313-ta"), me arsim ushtarak dhe i vlerësuar për profesionalizëm të lartë. Kryeinspektor Vrana njihej nga kolegët si një punonjës korrekt që kishte dhënë një kontribut të vyer në sigurinë e institucionit.

Mesazhi i institucionit

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i ka shprehur ngushëllimet më të ndjera familjarëve, duke theksuar se kjo është një humbje e madhe për të gjithë sistemin penitenciar shqiptar.

Ndonëse paraprakisht mjekësia ligjore dyshon për atake kardiake të shkaktuara nga faktorë të papritur shëndetësorë, autoritetet po ndjekin procedurat standarde të verifikimit për të dokumentuar plotësisht këtë koincidencë tragjike në mjediset e IEVP "Jordan Misja".

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit