

TIRANË – Një ngjarje e rëndë dhe e pazakontë ka tronditur mëngjesin e sotëm institucionin e paraburgimit 313 në kryeqytet. Dy punonjës të këtij burgu kanë ndërruar jetë njëri pas tjetrit brenda një harku kohor mjaft të shkurtër, duke shkaktuar tronditje dhe alarm tek kolegët dhe autoritetet.
Viktimat janë identifikuar si Zog Muhametaj, 62 vjeç, i cili shërbente si oficer policie në këtë institucion, dhe Pëllumb Vana, me detyrë teknik i kamerave të sigurisë.
Sipas informacioneve të para, të dy punonjësit kanë shfaqur probleme të papritura shëndetësore teksa ndodheshin në mjediset e punës. Pavarësisht përpjekjeve për t’u dhënë ndihmën e parë, asnjëri prej tyre nuk ka mundur të mbijetojë. Burime paraprake mjekësore bëjnë me dije se dyshohet që shkak për humbjen e jetës në të dyja rastet të ketë qenë ataku kardiak.
Megjithatë, nisur nga koincidenca tragjike dhe kohëzgjatja mjaft e shkurtër mes dy vdekjeve në të njëjtin institucion, grupi hetimor dhe mjekësia ligjore kanë nisur menjëherë punën. Pritet që autopsia të përcaktojë zyrtarisht shkaqet e sakta të vdekjes, ndërsa po verifikohen edhe rrethanat apo faktorët mjedisorë që mund të kenë ndikuar në këtë ngjarje.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pritet të dalë me një njoftim zyrtar për të sqaruar plotësisht dinamikën e kësaj tragjedie.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






