

Shqipëria renditet ndër vendet me çmimet më të larta të bulmetit në Europë, duke u pozicionuar e treta në kontinent dhe duke kaluar ndjeshëm mesataren e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025.
Sipas statistikave, indeksi i çmimeve për qumështin dhe nënproduktet e tij në Shqipëri ka arritur në 135.6, ku mesatarja e BE-së është 100. Ky nivel e vendos vendin në të njëjtin rang me Norvegjinë (135.7), ndërsa Zvicra kryeson listën me 144.
Të dhënat tregojnë një rritje të fortë të çmimeve në katër vitet e fundit. Në vitin 2022, indeksi ishte 112.3, ndërsa në 2025 ai është rritur në 135.6, duke reflektuar një shtrenjtim prej rreth 36% mbi mesataren europiane.
Në krahasim me rajonin, diferencat mbeten të theksuara. Serbia regjistron një indeks prej 107.1, Kroacia 111.2, Mali i Zi 95, Bosnje-Hercegovina 92 dhe Maqedonia e Veriut 89.6, duke qëndruar të gjitha nën nivelin e BE-së.
Ndryshe nga vendet me të ardhura të larta si Zvicra dhe Norvegjia, ku çmimet e larta balancohen nga paga dhe fuqia e lartë blerëse, në Shqipëri rritja e çmimeve ka ndikim më të madh në buxhetet familjare, pasi bulmeti dhe vezët përbëjnë pjesë thelbësore të shportës ushqimore.
Rritja e çmimeve lidhet me disa faktorë strukturorë, përfshirë tkurrjen e numrit të krerëve të blegtorisë, kostot e larta të ushqimit për kafshët, varësinë nga importet dhe rënien e prodhimit vendas. Në të njëjtën kohë, kërkesa është rritur si pasojë e turizmit dhe konsumit të shtuar sezonal.
Emigracioni dhe plakja e popullsisë në zonat rurale kanë ndikuar gjithashtu në tkurrjen e sektorit, i cili gjatë dekadës së fundit është përgjysmuar. Sipas ekspertëve, harmonizimi me standardet e Bashkimit Europian kërkon investime të konsiderueshme, të cilat shumë ferma të vogla nuk arrijnë t’i përballojnë, duke rritur më tej presionin mbi çmimet.
Të dhënat e Eurostat tregojnë gjithashtu se për herë të parë çmimet e ushqimeve në Shqipëri kanë kaluar mesataren e BE-së, duke arritur në 102.9% në vitin 2025, pas një rritjeje të shpejtë nga 85% në 2022.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






