

Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka marrë përgjegjësinë pas eliminimit të kombëtares nga Kupa e Botës 2026, duke deklaruar se është i gatshëm të vazhdojë në detyrë, por se vendimi për të ardhmen i takon drejtuesve të federatës.
Gjermania u eliminua në fazën e 1/16-ave nga Paraguai pas ekzekutimit të penalltive, duke regjistruar një tjetër zhgënjim në një turne madhor dhe duke shtuar pikëpyetjet mbi ecurinë e "Panzerave" në vitet e fundit.
Në analizën e tij pas ndeshjes, Nagelsmann pranoi se skuadra nuk arriti të shfaqte ritmin dhe vendosmërinë e nevojshme në fazën sulmuese.
"Posedimi ynë ishte shumë i ngadaltë. E kontrolluam lojën, por na mungoi vendosmëria dhe prania në zonën kundërshtare. Sidomos në minutat e para nuk fituam asnjë duel në zonën e tyre", u shpreh tekniku gjerman.
Vendimi i tij për të lënë Jamal Musialën në stol dhe për t’i besuar Deniz Undav në sulm është vënë në qendër të kritikave pas eliminimit.
I pyetur për të ardhmen e tij në pankinën e Gjermanisë, Nagelsmann u përgjigj shkurt: "Jam gati të vazhdoj, dhe nëse jo, duhet të ma thonë."
Eliminimi ndaj Paraguait shton presionin mbi trajnerin dhe Federatën Gjermane të Futbollit, teksa kombëtarja vazhdon të mos arrijë rezultatet e pritshme në turnetë e mëdhenj.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






